Trashëgimia
për femrat
Femra
si qenia më delikate e cila është shoqe, motër, nënë, bijë shpesh në shoqërinë
kosovare nuk trajtohet ashtu siç e meriton. Asaj i shkelen të drejtat dhe
askush nuk mërzitet për këtë fakt madje as vetë ajo. E kur jemi te shkelja e të
drejtave të saj, atëherë njëra ndër shkeljet më të mëdha është se asaj nuk i
jepet ajo që i takon me ligj. Kur e them këtë i referohem pasurisë së familjes
e cila gjithmonë iu ndahet meshkujve brenda familjes ndërsa femrave nuk iu
ndajnë asgjë.
E
drejtë kjo e saj të cilën ia garanton
Ligji për Familjen i Kuvendit të Kosovës i cili thotë se: “Tërë pasuria e
fituar gjatë kohëzgjatjes së bashkimit famijar i cili përfshin bashkëshortët
dhe fëmijët e tyre të ngushtë konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e të
gjithë anëtarëve që kanë marrë pjesë në fitimin e saj.”
Me
aq sa shihet në këtë ligj askund nuk shkruan se gjinia paraqet atë se kujt i
takon pasuria e kujt jo, ky ligj nuk e ndan femrën nga mashkulli. Por ky ligj
fatkeqësisht ka mbetur në shumicën e rasteve vetëm në letër. Ajo që vazhdon të
praktikohet është metoda e vjetër: mashkulli është shtylla e shtëpisë dhe
mashkulli do të trashëgoj pasurinë ndërsa femra vendin e ka te burri dhe mund
të vij në vizitë te vëllezërit e saj por kjo nuk do të thotë se asaj i takon
diçka vetëm do të nderohet si një mysafire.
Mysafire
në shtëpinë e saj?! Kjo lëre që cenon të drejtat e femrës por ul dhe krenarinë
e saj. Ajo që duhet të ndjejnë vëllezërit e saj është turpi që po bëjnë një
lloj “vjedhje” ndaj motrës së tyre, sepse ata i kanë marrur atë që i takon.
Çfarë nëse nesër burri i saj vendos të ndahet nga ajo?! Ajo femër përveç zemrës
së thyer dhe pikëllimit që ndjen do të ndjejë poashtu se nuk i përket asnjë
vendi dhe se nuk ka ku të shkojë. Ndjenja të tilla që nuk do të kishte nevojë
t’i provonte në qoftë se do ta kishte trashëguar atë pjesë që i takon nga
familja e vet.Por edhe nëse martesa e asaj femre shkon ashtu siç duhet prapë se
prapë kur të vdes burri asaj nuk do t’i ndahet pasuria nga ana e burrit, e
gjithë ajo do t’iu ndahet fëmijëve saktësisht meshkujve.
Zbatimin
e zakoneve dhe ligjeve të pashkruara për rregullimin e marrëdhënieve familjare
në këtë rast femra e vuan më së shumti por nuk mund t’i fajësojmë vetëm
prindërit apo vëllezërit për mosndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë.
Fajtor tjetër janë edhe vetë femrat të cilat nuk lodhen shumë që të informohen
dhe t’i mësojnë të drejtat e veta por pajtohen me atë që iu ofrohet. Ato nuk
aftësohen të mendojnë me trurin e vet por mendojnë me trurin e të tjerëve. E ai
tru i të tjerëve qysh nga kohërat më të vjetra deri në ditët e sotme ka
favorizuar mashkullin në pothuajse çdo aspekt. Femrat janë konsideruar si “rob”
i një shtëpie, puno te baba, puno te burri. Femra që nga çasti kur është lindur
është ndier e refuzuar, ajo gjithmonë ka qenë në shërbim të meshkujve dhe
edhepse ka kontribuar në shumë raste më shumë se sa mashkulli, prapë atë e kanë
martuar dhe ka shkuar te burri i saj e sa për t’i ndarë pasuri, as që ka ardhur
në konsideratë kjo shprehje se lëre më të bëhet një gjë e tillë. Kjo ishte për
keqardhje atëherë, por nuk do të thotë se kjo gjendje duhet të vazhdoj edhe në
ditët e sotme. Ajo që është edhe për keqardhje më të madhe është se edhe nëse
vajza ishte vajza e vetme në familje, nuk kishte vëllezër prapë se prapë ajo
nuk e trashëgonte pasurinë por axha i saj apo dikush tjetër vetëm sepse ishte
mashkull i asaj familje.
Le
të bëhet ashtu siç është bërë gjithmonë. Kjo është ajo faza ku kemi ngecur,
mentaliteti ynë nuk ndryshon sado që themi se jemi popull demokratik, jemi për
barazinë gjinore, për të drejta të barabarta e shumë të thëna të tjera që
thuhen lehtë por për t’i vënë në praktikën tonë është e vështirë.
Por,
mjaft më! Femrat duhet të vetëdijësohen dhe të kërkojnë që kur të ndahet
pasuria e familjes edhe ato ta marrin pjesën e vet dhe për këtë nuk duhet të
hidhërohet as babai i saj e as vëllezërit e saj. Ato duhet të marrin atë që iu
takon dhe ajo t’i ndahet me po të njëjtën kënaqësi që iu ndahet djemëve të
familjes. Nëse marrëdhënia prindër - vëllezër - motër zbehet për shkak të
ndarjes së pasurisë atëherë kjo gjë vetëm dëshmon se kjo nuk ishte një
marrëdhënie e shëndoshë por një marrëdhënie e cila bazohej në interes. Dhe nëse
prapë atyre refuzohet t’iu ndahet pasuria atëherë duhet të marrin masa dhe t’i
drejtohen gjykatës për këtë çështje.
Për
këtë çështje ka folur dhe Zëvendës
ministri i Drejtësisë Avdyl Ymeri në përmbyllje të Fushatës së 16 Ditëve të
Aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas i cili ka thënë se: “Pozita e barabartë e gruas në pronë është
një ndër elementet më të rëndësishme me të cilën sigurohet një bazament më
stabil ekonomik. Qasja e barabartë në prona qoftë ato prona trashëgimore apo
edhe prona tjera të luajtshme apo të paluajtshme siguron një pavarësi ekonomike
të gruas në familje, por edhe në shoqëri”.
Ndarja
e pasurisë në shumicën e shteteve të botës bëhet në mënyrë të barabartë midis
vëllezërve dhe motrave dhe kjo gjë duhet të filloj të zbatohet edhe në shtetin
tonë demokratik dhe që një ditë edhe ne të jemi pjesë e këtyre shteteve dhe e
gjithë kjo periudhë e mosndarjes së pasurisë në mënyrë të barabartë ndaj
femrave dhe meshkujve të mbetet vetëm në kujtimet tona.