Wednesday, May 14, 2014

Trashëgimia për femrat - Erbline Citaku



Trashëgimia për femrat

Femra si qenia më delikate e cila është shoqe, motër, nënë, bijë shpesh në shoqërinë kosovare nuk trajtohet ashtu siç e meriton. Asaj i shkelen të drejtat dhe askush nuk mërzitet për këtë fakt madje as vetë ajo. E kur jemi te shkelja e të drejtave të saj, atëherë njëra ndër shkeljet më të mëdha është se asaj nuk i jepet ajo që i takon me ligj. Kur e them këtë i referohem pasurisë së familjes e cila gjithmonë iu ndahet meshkujve brenda familjes ndërsa femrave nuk iu ndajnë asgjë.
E drejtë  kjo e saj të cilën ia garanton Ligji për Familjen i Kuvendit të Kosovës i cili thotë se: “Tërë pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së bashkimit famijar i cili përfshin bashkëshortët dhe fëmijët e tyre të ngushtë konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e të gjithë anëtarëve që kanë marrë pjesë në fitimin e saj.”
Me aq sa shihet në këtë ligj askund nuk shkruan se gjinia paraqet atë se kujt i takon pasuria e kujt jo, ky ligj nuk e ndan femrën nga mashkulli. Por ky ligj fatkeqësisht ka mbetur në shumicën e rasteve vetëm në letër. Ajo që vazhdon të praktikohet është metoda e vjetër: mashkulli është shtylla e shtëpisë dhe mashkulli do të trashëgoj pasurinë ndërsa femra vendin e ka te burri dhe mund të vij në vizitë te vëllezërit e saj por kjo nuk do të thotë se asaj i takon diçka vetëm do të nderohet si një mysafire.
Mysafire në shtëpinë e saj?! Kjo lëre që cenon të drejtat e femrës por ul dhe krenarinë e saj. Ajo që duhet të ndjejnë vëllezërit e saj është turpi që po bëjnë një lloj “vjedhje” ndaj motrës së tyre, sepse ata i kanë marrur atë që i takon. Çfarë nëse nesër burri i saj vendos të ndahet nga ajo?! Ajo femër përveç zemrës së thyer dhe pikëllimit që ndjen do të ndjejë poashtu se nuk i përket asnjë vendi dhe se nuk ka ku të shkojë. Ndjenja të tilla që nuk do të kishte nevojë t’i provonte në qoftë se do ta kishte trashëguar atë pjesë që i takon nga familja e vet.Por edhe nëse martesa e asaj femre shkon ashtu siç duhet prapë se prapë kur të vdes burri asaj nuk do t’i ndahet pasuria nga ana e burrit, e gjithë ajo do t’iu ndahet fëmijëve saktësisht meshkujve.
Zbatimin e zakoneve dhe ligjeve të pashkruara për rregullimin e marrëdhënieve familjare në këtë rast femra e vuan më së shumti por nuk mund t’i fajësojmë vetëm prindërit apo vëllezërit për mosndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë. Fajtor tjetër janë edhe vetë femrat të cilat nuk lodhen shumë që të informohen dhe t’i mësojnë të drejtat e veta por pajtohen me atë që iu ofrohet. Ato nuk aftësohen të mendojnë me trurin e vet por mendojnë me trurin e të tjerëve. E ai tru i të tjerëve qysh nga kohërat më të vjetra deri në ditët e sotme ka favorizuar mashkullin në pothuajse çdo aspekt. Femrat janë konsideruar si “rob” i një shtëpie, puno te baba, puno te burri. Femra që nga çasti kur është lindur është ndier e refuzuar, ajo gjithmonë ka qenë në shërbim të meshkujve dhe edhepse ka kontribuar në shumë raste më shumë se sa mashkulli, prapë atë e kanë martuar dhe ka shkuar te burri i saj e sa për t’i ndarë pasuri, as që ka ardhur në konsideratë kjo shprehje se lëre më të bëhet një gjë e tillë. Kjo ishte për keqardhje atëherë, por nuk do të thotë se kjo gjendje duhet të vazhdoj edhe në ditët e sotme. Ajo që është edhe për keqardhje më të madhe është se edhe nëse vajza ishte vajza e vetme në familje, nuk kishte vëllezër prapë se prapë ajo nuk e trashëgonte pasurinë por axha i saj apo dikush tjetër vetëm sepse ishte mashkull i asaj familje.
Le të bëhet ashtu siç është bërë gjithmonë. Kjo është ajo faza ku kemi ngecur, mentaliteti ynë nuk ndryshon sado që themi se jemi popull demokratik, jemi për barazinë gjinore, për të drejta të barabarta e shumë të thëna të tjera që thuhen lehtë por për t’i vënë në praktikën tonë është e vështirë.
Por, mjaft më! Femrat duhet të vetëdijësohen dhe të kërkojnë që kur të ndahet pasuria e familjes edhe ato ta marrin pjesën e vet dhe për këtë nuk duhet të hidhërohet as babai i saj e as vëllezërit e saj. Ato duhet të marrin atë që iu takon dhe ajo t’i ndahet me po të njëjtën kënaqësi që iu ndahet djemëve të familjes. Nëse marrëdhënia prindër - vëllezër - motër zbehet për shkak të ndarjes së pasurisë atëherë kjo gjë vetëm dëshmon se kjo nuk ishte një marrëdhënie e shëndoshë por një marrëdhënie e cila bazohej në interes. Dhe nëse prapë atyre refuzohet t’iu ndahet pasuria atëherë duhet të marrin masa dhe t’i drejtohen gjykatës për këtë çështje.
Për këtë çështje ka folur dhe  Zëvendës ministri i Drejtësisë Avdyl  Ymeri  në përmbyllje të Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas i cili ka thënë se:  “Pozita e barabartë e gruas në pronë është një ndër elementet më të rëndësishme me të cilën sigurohet një bazament më stabil ekonomik. Qasja e barabartë në prona qoftë ato prona trashëgimore apo edhe prona tjera të luajtshme apo të paluajtshme siguron një pavarësi ekonomike të gruas në familje, por edhe në shoqëri”.
Ndarja e pasurisë në shumicën e shteteve të botës bëhet në mënyrë të barabartë midis vëllezërve dhe motrave dhe kjo gjë duhet të filloj të zbatohet edhe në shtetin tonë demokratik dhe që një ditë edhe ne të jemi pjesë e këtyre shteteve dhe e gjithë kjo periudhë e mosndarjes së pasurisë në mënyrë të barabartë ndaj femrave dhe meshkujve të mbetet vetëm në kujtimet tona.

No comments:

Post a Comment