Annabel Li - Edgar Allan Poe; njëkohësisht poezia ime e preferuar e të
gjitha kohërave
Ka shumë e shumë vjet
Në një vent afër në det,
Ish një vajzë që mundni ta njini tani
Nën emrin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjeter s’kërkonte
Veç ta deshja sikundër më desh.
Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vent afër në det;
Po duheshim më tepër se me dashuri
Unë dhe im Annabel Li;
Me një dashuri që edhe Engjëjt lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.
Andaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vent afër në det,
Fryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Të bukuren Annabel Li;
Edhe motrat e saj engjëllesha
Ma rrembyen, ma mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shëndet
Nga ky vent afër në det.
Engjëjt që s’kishin sa ne dashuri
Që të dyve na mbanin mëri.
Po prandaj, siç e dini vërtetë
Tek ky vent afër në det
Fryri veriu një nat’ e ma ngriu
E ma vrau tim Annabel Li.
Dashuria që kishim ish m’ë e fortë se çdo dashuri,
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marr’ as i urtë njeri
Dhe as Engjëjt e qiellit në erë,
As demonët pëposh në skëterrë
Shpirtin tim s’mund ta shqitin nga shpirti
I së bukurës Annabel Li.
Se tek hëna që ndrit, syri im ëndërrit
Për të bukurën Annabel Li;
Dhe çdo yll që shkëlqen syt’ e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Annabel Li;
Nat’ e ditë e shoh, edhe zemren ma ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Përmi varrin ku deti buçet,
I rri pranë mi varrin në det.
No comments:
Post a Comment